Aplikacione

Asnjë Sistem Operativ si Windows XP

Jun 6 2011
0 Shpërndarje
Asnjë Sistem Operativ si Windows XP

altWindows XP mund të jetë sistemi operativ i fundit i Microsoft që mban një treg shumicë sipas të dhënave të fundit nga kompania për matje në ueb, Net Applications.

Në majën e përdorimit të tij Windows XP ishte i pranishëm në më shumë se 8 prej 10 kompjuterëve në mbarë botën. Në nëntor të vitit 2007, muaji më i hershëm për të cilin Computerworld ka të dhëna nga Net Applications, XP ka zënë 83.6% në tregun e sistemeve operative.

Edhe pse Windows XP që nga atëherë ka pësuar rënie, ai akoma mbizotëron tregun, ku muajin e kaluar ishte i pranishëm në 52.4% të kompjuterëve.

Faktorët kryesor për këtë sukses të Windows XP vlerësohen të jetë distanca e gjatë kohore në mes të lançimit të XP në vitin 2001 dhe Vista-s në fund të vitit 2006, dhe dështimi i kësaj të fundit në treg.

Të dyja arsyet mund të përsëriten, pasi Microsoft mund të ndeshet me dështime të ardhshme sikur Vista, por vonesa prej 5 vitesh për sistemin operativ të ri duket pak e mundshme.

Arsye për këtë është se Microsoft tashmë ka vendosur një cikël tre vjeçar për lançimin e sistemeve operative të reja. Edhe pse kompania nuk ka përmendur asgjë në lidhje me datën e lëshimit të sistemit operativ Windows 8, sistem të cilin e prezantoi javën e kaluar, shumica e ekspertëve vlerësojnë se ky do të dal në treg në vjeshtën e vitit 2012, tri vite pas lançimit të Windows 7.

Me një distancë të rregullt në mes të lëshimeve të sistemeve operative është vështirë që ndonjëri sistem operativ të kaloj mbizotërimin e XP.

Këtë po e vërtetojnë edhe parashikimet të bazuara në numrat e Net Applications. Sipas këtyre parashikimeve, duke përdorur rritjen mesatare të përdorimit të Windows 7 në tre muajt e fundit, Computerworld parasheh që ky sistem operativ pikun do të arrij në çerekun e tretë të vitit të ardhshëm kur do të jetë i pranishëm në 41% të tregut.

Pas kësaj përdorimi i Windows 7 do të filloj të bie kur përdoruesit të fillojnë të kalojnë në sistemin e ri operativ Windows 8 ose fillojnë të blejnë kompjuterë me sistem operativ të instaluar. Kjo ndodhi me Vista-n. Ky sistem operativ problematik pikun e arriti në tetor të vitit 2009 me 19% të tregut, në të njëjtin muaj kur u lançua Windows 7. Që nga atëherë, Vista pothuajse ka humbur gjysmën e tregut, i cili në maj ishte 10% i të gjitha sistemeve operative.

Deri në çerekun e tretë të 2012, tregu i XP do të bie në 38%, duke shënjuar herën e parë që XP gjendet nën shifrat e sistemit operativ Windows 7, që pritet të jetë i pranishëm në 41% të kompjuterëve, bazuar në renditjen e Net Applications. Ndërkohë Vista do të jetë pothuajse e zhdukur, me vetëm 4% të tregut.

Kështu Microsoft përsërit skenarin e vjetër kur një sistem operativ të arrij pothuajse në 50% të tregut, të lançojë sistemin operativ më të ri.

Megjithatë ky skenar mund të ndërpritet për  shumë faktorë, përfshirë refuzimin e përdoruesve për të instaluar versionin e ri, ashtu siç kishte ndodhur me Vista, e që do të rriste tregun e sistemit operativ paraprak.

Disa analistë kanë thënë që bizneset mund të tejkalojnë Windows 8 vitin e ardhshëm, për arsye se ose sapo kanë migruar në Windows 7 ose sepse ata shohin përfitimet e Windows 8, të cilat ekspertët i kanë vlerësuar si më të dobishme për konsumatorët individual.

Lëshimi i shpejtë i Windows do të ndikojë edhe në Microsoft, që përkrah sistemet operative individuale për 5 vite, dhe ato biznesore deri në 10 vite.

Për momentin, Microsoft përkrah tri versione të Windows: Xp, Vista, dhe Windows 7. Nëse Windows 8 paraqitet në çerekun e tretë të vitit të ardhshëm, numri i sistemeve operative të përkrahura do të ngritet në katër, pasi përkrahja për XP do të vazhdoj deri në prill të vitit 2014. Me versionet e reja që do të shfaqen në çdo tri vite dhe një premtim përkrahje 10 vjeçare, Microsoft do të rikthehet në menaxhimin e katër edicioneve të Windows njëkohësisht.

Kompania e ka bërë këtë më herët. Deri në qershor të vitit 2010, Microsoft ka ofruar freskime sigurie edhe për Windows 2000, dhe tri versionet e lartpërmendura Xp, Vista, dhe Windows 7.

 

Lajmet e fundit>