Siguri

Arnim rekord për Safari 5

Mar 14 2012
0 Shpërndarje
Arnim rekord për Safari 5

Apple ka përditësuar shfletuesin e saj Safari në versionin 5.1.4, duke arnuar plotë 83 vrima dhe duke përmirësuar performancën e JavaScript në OS X Lion.

Numri i arnimeve është një numër rekord për Safari 5, të cilin Apple e kishte lançuar në qershor të vitit 2010, tre muaj para se të lançonte sistemin operativ OS X Snow Leopard.

Nga 83 arnimet, 72 cilësoheshin si kritike nga Apple, edhe pse Apple nuk rëndit arnimet sipas nivelit të sigurisë ashtu siç bën Microsoft. Nga vrimat e arnuara asnjëra nuk ishte përdorur në sulme aktuale, por ishin vlerësuar si mundësi teorike për të keqpërdorur një Mac dhe për të vendosur malware në makinë.

Numri i arnimeve të së hënës, është një rekord për shfletuesin Safari 5, i cili deri më tani numrin më të madh të arnimeve e kishte pasur në mars të vitit 2011, kur ishin arnuar 62 vrima. Arnimet tjera të vitit të kaluar ishin në muajin korrik kur kishte 58 arnime, dhe në tetor kur pati 43 arnime.

Nga arnimet e të hënës, 72 ishin dedikuar për arnimin e WebKit, makinës shfletuese me kod të hapur që fuqizon Safari dhe Chrome të Google. Apple i kishte etiketuar këto arnime si korruptim memorie që mund të aktivizoheshin me vizitimin e një faqe malinje. Të njëjtat arnime më parë ishin realizuar edhe në sistemin operativ iOS të Apple, i cili të mërkurën e kaluar u përditësua në versionin 5.1, dhe iTunes 10.6.

Pos përditësimeve të sigurisë, Apple përmirësoi edhe disa probleme me stabilitetin dhe performancën e produkteve të saja. Në krye të këtyre përmirësimeve ishte Safari në Lion që pësoi një përmirësim në JavaScript. Gjithashtu në Lion u përmirësua edhe përmbajtjet Flash.

Safari mund të shkarkohet nga uebfaqja zyrtare e Apple për Snow Leopard ose Lion në Mac, dhe Windows XP, Vista, dhe Windows 7 në PC. Përdoruesit e Mac OS X do të njoftohen në mënyrë automatike derisa përdoruesit e Safari në Windows do të njoftohen me anë të veglës Apple Software Update.

Lajmet e fundit>