Harduer

Apple reagon ndaj ankesave për kamerën e iPhone 5

Oct 11 2012
0 Shpërndarje
Apple reagon ndaj ankesave për kamerën e iPhone 5

Pak kohë pasi iPhone 5 u hodh në shitje, disa përdorues shprehën shqëtësimet dhe ankesat e tyre mbi një hije ndriçimi ngjyrë vjollcë që u bashkangjitej fotografive të marra në një ambjent me dritë të fortë.

Më në fund, Apple e ka pranuar problemin dhe ka postuar reagimin e mëposhtëm në faqen e saj zyrtare për mbështetje online: “Pjesa më e madhe e kamerave të vogla, si ato të gjeneratës së iPhone, mund të shfaqin një hije ndriçimi në cep të fotos, kur këto të fundit janë marrë në një ambjent me ndriçim të fortë.Kjo ndodh zakonisht kur burimi i dritës vjen nga një farë këndi dhe reflekton mbi sipërfaqet brenda kamerës si dhe mbi sensorin e saj. Lëvizja e kamerës në mënyrë që të ndryshohet pozicioni prej nga ndriçimi hyn në lente, ose thjesht mbrojtja e lenteve me dorë, e reduktojnë ose e eliminojnë totalisht efektin”.

Më parë pati ankesa për hartat dhe gërvishtjen e iPhone 5

Apple ka deklaruar gjithashtu se kjo ndodh me të gjithë iPhone-t, por nga fotot e kapura më sipër, duket qartë se problemi ndodh vetëm me versionin 5. Ky është shqetësimi i tretë që kanë shprehur përdoruesit gjatë dy javëve të fundit.

Fillimisht, ata u ankuan mbi kualitetin e aplikacionit të hartave, Apple Maps, gjë që detyroi CEO-n Tim Cook të kërkonte ndjesë publikisht. Së dyti, ata u ankuan se iPhone gërvishtej shpejt.

Përgjigjja e kompanisë në këtë rast ishte se “kjo gjë ishte e natyrshme”. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>