Aplikacione

Apple ndalon përditësimin e aplikacionit SkyDrive për iOS

Dec 20 2012
0 Shpërndarje
Apple ndalon përditësimin e aplikacionit SkyDrive për iOS

skydrive iOSApple dhe Microsoft kanë filluar “luftën e ftohtë” lidhur me aplikacionin SkyDrive për iPhone dhe iPad, veprim ky që në një farë mënyre po dëmton përdoruesit.

Sipas The Next Web, Apple ka bllokuar përditësimet e SkyDrive që kur Microsoft-i prezantoi mundësinë për të blerë më tepër hapësirë pa i dhënë Apple 30% të të ardhurave.

Si rezultat, aplikacioni SkyDrive për iOS nuk është përditësuar që prej muajit qershor dhe për momentin i mungon një rregullim kyç që duhet të ndalojë bllokimet që mund të pësojë me kalimin e kohës.

Apple operon prej disa muajsh tashmë (shkurt 2011) me politikën e re lidhur me kompanitë që ofrojnë plane abonimi, duke u kërkuar atyre 30% të të ardhurave edhe nëse përdoruesi nuk vazhdon të përdorë më një pajisje iOS.

Aplikacionet ndalohen t’i drejtojnë përdoruesit tek faqja zyrtare ku mund të abonohen, duke anashkaluar kështu tarifën që duhet të marrë Apple. Për më tepër, çmimi i abonimit nuk mund të jetë më i lartë se ai që ofrohet normalisht për klientet jashtë iOS e kështu nuk mund të bëhet mbulimi i kostove shtesë që duhet t’i paguhen Apple-t.

Shërbime si Hulu, Netflix dhe Amazon Kindle kanë vendosur të mos ofrojnë plane abonimi përmes aplikacioneve të tyre. Nëse përdoruesit duan të abonohen, atëhere duhet të aksesojnë faqen përmes një shfletuesi dhe të bëjnë regjistrimin.

Megjithatë, duket se Microsoft-i nuk dëshiron të luajë sipas këtyre rregullave, duke i lënë përdoruesit të abonohen për më tepër hapësirë nga vetë aplikacioni i SkyDrive për iOS.

Megjithatë, gazetarët e teknologjisë shkruajnë se nuk po arrijnë ta gjejnë dot më këtë opsion. Nga ana tjetër, thuhet se Microsoft-i është ofruar të heqë të gjitha opsionet e abonimit nga aplikacionet e veta, por Apple ka refuzuar. Këto mosmarrëveshje janë pjesë e vendimeve të biznesit për t’i hequr sa më tepër para nga duart konkurrentit.

Efektet anësore? Të gjitha bien mbi përdoruesit, duke vështirësuar punën e tyre. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>