Business & Management

Apple largon nga App Store aplikacionin e fundit që transferon Bitcoin

Feb 7 2014
0 Shpërndarje
Apple largon nga App Store aplikacionin e fundit që transferon Bitcoin

bitcoinGjatë ditës së mërkurë, Apple ka larguar nga dyqani zyrtar i aplikacioneve Blockchain, i cili ishte aplikacioni i fundit që gjendej në App Store për transferimin e bitcoin-eve. Me këtë veprim, Apple ka treguar edhe njëherë se vazhdon të mbetet skeptik ndaj monedhës virtuale.

Blockchain, në një deklaratë zyrtare në uebfaqen e vet, shkroi se Apple i kishte thënë se aplikacioni, i cili është në fakt një “portofol” që mund të përdoret për të ruajtur dhe dërguar bitcoin-e, është hequr për shkak të një “çështjeje të pazgjidhur.” Kompania tha gjithashtu se nuk ishte marrë asnjë paralajmërim para heqjes së aplikacionit nga dyqani.

Kjo nuk është hera e parë që Apple largon një aplikacion që lidhet me bitcoin-in nga dyqani i vet. Për shembull, kompania ka larguar edhe aplikacione si Coinbase apo Gliph. “Këto veprime nga Apple dëshmojnë edhe njëherë natyrën kapriçoze të politikave të Apple,” shprehet kompania e Blockchain.

Aktualisht, ekzistojnë një sërë shitësish me pakicë që kanë adoptuar bitcoin-in si mundësi pagese, megjithatë, monedha vazhdon të mbetet mjaft e debatuar lidhur me çështjen nëse duhet apo jo të legalizohet si dhe të jetë objekt i skemave rregullatore.

Ndërkohë, në App Store ekzistojnë disa aplikacione që lidhen me bitcoin-in, por asnjë prej tyre nuk transferon bitcoin-e. Blockchain ka shtuar gjithashtu se aplikacioni i vet ekzistonte prej 2 vitesh në App Store dhe ishte shkarkuar 120 000 herë. Kompania ka lançuar gjithashtu një peticion online për ta bindur Apple të lejojë portofolët e bitcoin. Nga ana tjetër, Google nuk bën asnjë kufizim të ngjashëm për zhvilluesit e aplikacioneve. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>