Technology

Apple kërkon miliarda dollarë nga Samsung

Jul 25 2012
0 Shpërndarje
Apple kërkon miliarda dollarë nga Samsung

Apple do të kërkojë miliarda dollarë nga Samsung, për dëmet që ‘i ka shkaktuar’ kjo e fundit në çështjen e patentës së disa prej produkteve. Gjyqi do të zhvillohet javën tjetër në Kaliforni.

Sipas burimeve të Apple, dokumentet janë dorëzuar në Gjykatën e Kalifornisë Veriore dhe procesi do të nisë të hënën e ardhshme.

“Samsung ka përfituar miliarda dollarë në dëmin tonë duke na shkaktuar humbje në qindra milionë dollarë për shkak të vjedhjes së pronës intelektuale”, shkruhet në dosjen e dorëzuar në Gjykatë.

Duke mbledhur së bashku të gjitha shitjet e Samsungut për celularë dhe tabletë, që presupozohet se kanë cënuar patentat e Apple, rezulton se 500 milionë dollarë janë humbja që deklaron Apple dhe avokatët e saj do të kërkojnë një dëmshpërblim prej 2.525 miliardë dollarësh.

Menjëherë pasi Apple dorëzoi padinë në Gjykatë, Samsung u shpreh se ‘kompania po përpiqet të monopolizojë tregun dhe se dëmshpërblimet duhet të pasqyrojnë vlerën e humbur, por jo të shprehin një çmim absurd për të rrënuar konsumatorët dhe kundërshtarët në të gjithë botën’.

I gjithë procesi do të shqyrtohet me shumë vëmendje nga Gjykata jo vetëm sepse në të marrin pjesë dy nga kompanitë më të famshme në botë, por edhe sepse produktet e dizajnuara nga Apple kanë influencuar tregun në një mënyrë të paimagjinueshme më parë.

Sipas Reuters, shefi ekzekutiv i Apple Tim Cook u takua me ekzekutivët e Samsung javën e kaluar, takimi i dytë i këtij viti mes të dyja palëve, por as kësaj here nuk u arrit ndonjë marrëveshje. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>