Aplikacione

Aplikacione të avancuara interneti

Feb 1 2011
0 Shpërndarje
Aplikacione të avancuara interneti

Me shtrirjen e internetit dhe evoluimin e teknologjisë nga dita në ditë, edhe kërkesat e përdoruesve janë rritur, janë zgjeruar dhe kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Sot, kur si përdorues nuk kemi probleme me lidhjen e internetit dhe shpejtësinë e tij, dëshirojmë që shumicën e punëve ditore t’i kemi në një vend të vetëm, të centralizuar, por të aksesueshëm nga çdo vend (nga kompjuteri personal i punës, i shtëpisë, i barit ku mund të kalojmë një kohë të shkurtër, celulari e gjetiu).

Prej kohësh është kuptuar që web faqja është një shans i mirë për zhvilluesit softuerik, që të mund të japin një alternativë për zgjidhjen e këtij “problemi”. Mirëpo duke u nisur nga dëshira, e ndoshta më shumë edhe nga nevoja për kryerjen e disa detyrave komplekse (siç mund të jetë ngarkimi i të dhënave nga kamera e instaluar në kompjuter apo printimi i përshtatur po ashtu në printerin e instaluar në Lan apo në Network), është parë që disa aplikacione ueb faqja nuk do të mund t’i zgjidhë ato.

Me këtë rast u desh një qasje pak më ndryshe apo më e zgjeruar (sesa vetëm një teknologji prezantuese siç është HTML), duke sjellë në skenë një koncept që edhe vetë ka ndryshuar nga dita në ditë, prej ideve të para e deri më sot – aplikacione të avancuara interneti (Rich internet applications). Nëse mund të bazohemi në shkrimet e Wikipedia-s, termin “rich internet application” e hasim për herë të parë në një shkrim në mars të vitit 2002 nga Macromedia (tani e bashkuar me Adobe-n), megjithëse si koncept ka ekzistuar ndër vite (edhe shumë kohë më parë madje), por me emërtime të tjera si: “remote scripting” nga Microsoft (rreth vitit 1999), “X Internet” nga Forrester Research (tetor 2000), “rich (web) clients” dhe “rich web application”.

Por në të vërtetë çfarë është një “aplikacion i avancuar interneti”, çfarë e veçon atë, si mund t’i qasemi atij, cilat janë konceptet që e përbëjnë atë, cilat teknologji na mundësojnë të zhvillojmë diçka të tillë, cila është përhapja e këtyre teknologjive, cili është raporti i tyre me standardet e hapura, ku është statusi i tyre, cili është mendimi im personal në raport me kahun dhe zhvillimet që duhet të marrë ky koncept dhe tema të tjera do të trajtohen në këtë seri shkrimesh.

Përkufizimi dhe ndërtimi (nga një pamje e lartë)

Aplikacion i avancuar interneti (rich internet application, më poshtë i referuar si Ria aplikacion) është një web aplikacion (në thelb, i pastër), që ndërtohet për të liferuar tipare, mundësi dhe funksione normalisht, i shoqëruar nga një desktop aplikacion (“standalone”, shtojcë apo komponent). Ria aplikacioni sipërfaqësisht gjithë procesimin e të dhënave, qasjeve, manipulimeve dhe operacioneve të tjera përcjellëse e realizon përmes internetit / rrjetit duke u shërbyer nga një ndërfaqe përdoruesi (user interface), e cila shërben si klient dhe një shërbim (apo një mori shërbimesh) që vepron në anën e server aplikacionit (aplikacioneve).

Një Ria aplikacion normalisht ekzekutohet nga shfletuesi (web browser) dhe (shpesh) nuk kërkon instalime të tjera përcjellëse për të punuar (hiq shtojcat e caktuara, për të cilat do të flasim më gjerë). Por, disa Ria aplikacione shpesh mund të punojnë vetëm me disa shfletues të caktuar (jo me të gjithë ata në përdorim), duke përdorur mekanizmin e shtojcave (add-ins).

Për qëllime sigurie, pothuajse të gjithë Ria aplikacionet kanë akses tejet të kufizuar në sistemin operativ, duke e ngushtuar fushën e veprimit (të drejtat) vetëm në një hapësirë të vogël, e cila quhet “sandbox”, që është totalisht e izoluar nga pjesët e tjera, Ky koncept shmang shumë probleme të mundshme sigurie, probleme me viruse dhe softuerë dashakeq, etj. Me tërë këto “limitime”, një Ria aplikacion edhe në këtë hapësirë mund të funksionojë për mrekulli, duke mos u limituar në funksionalitete ose në atë që ofron për përdoruesin e fundit (end-user).

Hapësira e lejuar, siç e thamë edhe më lart, është e izoluar dhe shumë e vogël (zakonisht nis me 1 MB), por me aprovimin e përdoruesit (dijeninë e tij të plotë) kjo hapësirë edhe mund të rritet (programatikisht), nëse i nevojitet aplikacionit (dhe përdoruesi e aprovon një kërkesë të tillë). Kjo hapësirë përdoret për të ruajtur informacione të caktuara për aplikacionin, përdoruesin, sistemin apo edhe vetë komponentët e aplikacionit. Zakonisht programerët e përdorin këtë hapësirë edhe për baza lokale të të dhënave, të cilat në shumicën e rasteve shërbejnë memorizim të përkohshëm (cache).Në shkrimet e tjera do të vazhdojmë të flasim për teknologjitë e caktuara, për përparësitë dhe mangësitë e tyre, për shtrirjen apo përhapjen dhe për informacione të tjera interesante.

Lajmet e fundit>