IT Organizate

Anketim: Rreth 1/3 e profesionistëve IT vazhdojnë të përdorin Windows XP

Dec 20 2013
0 Shpërndarje
Anketim: Rreth 1/3 e profesionistëve IT vazhdojnë të përdorin Windows XP

laptop with XP-578-80Spiceworks ka publikuar rezultatet e një raporti që ka për qëllim të nxjerrë në pah problemet që po hasin profesionistët në fushën e IT-së tashmë që po afron përfundimi i suportit të Microsoft për sistemin Windows XP.

Nga studimi me titull “T’i japim fund Windows XP” u zbulua se sa i përhapur vazhdon të jetë ky sistem edhe pse kanë kaluar plot 12 vjet që prej lançimit fillestar të tij.

Sipas anketimit, 76% e profesionistëve IT kanë të instaluar Windows XP në pajisjet që përdorin në ambientet e punës. Rreth 36% e tyre kanë deklaruar se do të heqin dorë nga XP menjëherë pasi afati i përditësimeve të tij të përfundojë. Kjo do të thotë se kur Windows të mos ofrojë më përditësime sigurie apo përmirësime të tjera ndaj këtij sistemi, rreth 27% e profesionistëve do të vazhdojnë t’a përdorin atë. Ngurrimi për të kaluar në përdorimin e një versioni tjetër të përditësuar do të ndikojë në rritjen e riskut për sulme të dëmshme.

Mungesa e buxhetit

Kalimi në Windows 7 duket të jetë zgjedhja e preferuar. Rreth 96% e të anketuarve kanë deklaruar se e përdorin aktualisht këtë sistem ose do t’a përdorin më vonë. Ndërkohë, rreth 48% e të anketuarve që vazhdojnë të përdorin XP janë përgjigjur se kanë në plan të heqin dorë nga XP dhe të blejnë kompjuterë me sistem Windows 7. Rreth 3/4 e përdoruesve deklaruan se “përpjekja për të ruajtur eksperiencë të ngjashme të përdoruesit” është arsyeja kryesore e kalimit në Windows 7 dhe jo Windows 8 ose 8.1.

Pse përdorimi i Windows XP vazhdon të jetë në nivele të larta? Mungesa e buxhetit, kohës dhe burimeve janë theksuar si arsyet kryesore të mos pajimit të rrjeteve me sisteme të përditësuara. Më konkretisht, 55% deklaruan mungesën e buxhetit si arsye kryesore, 39% mungesën e kohës dhe 31% mungesën e burimeve.

Anketa është realizuar në muajin tetor të këtij viti dhe në të kanë marrë pjesë më tepër se 1300 persona. Pjesa më e madhe tyre ishin në Amerikën e Veriut dhe përfshiheshin në industri të ndryshme ku përfshihen shëndetësia, arsimi, financa dhe qeveria. (CIO Albanian)

Tags >

it
Lajmet e fundit>