Slider

ALBtelecom, internet Wi-Fi falas në 15 pika të Tiranës

May 4 2013
0 Shpërndarje
ALBtelecom, internet Wi-Fi falas në 15 pika të Tiranës

AlbTelecomALBtelecom&Eagle Mobile do të ofrojë për abonentët e vet internet falas në 15 pika të Tiranës. Çdo abonent që ka një laptop, tablet, apo një celular të zgjuar tashmë mund të lidhet në internet falas në parqe, rrugë, ambiente publike, praktikisht kudo ku shkon në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha përuroi shërbimin në Qytetin Studenti dhe u bëri apel edhe kompanive të tjera celulare të ofrojnë këtë shërbim, duke thënë se objektivi i Bashkisë është mbulimi i gjithë kryeqytetit me internet falas. Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom&Eagle Mobile, Erkan Tabak, duke falënderuar Bashkinë e Tiranës për mundësinë dhe lejen që i dha ALBtelecom-it për vendosjen e shpërndarësve të shërbimit Wi-Fi, tha se ky projekt kombëtar i nisur në Tiranë po vazhdon në çdo qytet të Shqipërisë.

“Sot në kryeqytet ne kemi shërbim aktiv Wi-Fi në shumicën e vendeve publike dhe mjediseve universitare. Ne shpresojmë që deri në fund të majit të kemi shërbim në të gjithë Tiranën. Dhënia falas e këtij shërbimi për dy orë në ditë është një ndihmë për të rinjtë që nuk kanë mundësi blerjeje të shërbimit dhe kjo është një pjesë e Përgjegjësisë sonë Sociale. Ne e kemi deklaruar 2013-n “Viti i Internetit të Sigurt” dhe duam të ofrojmë internet të sigurt për familjet shqiptare dhe të rinjtë”, tha Tabak në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp.

Të gjithë përdoruesit Eagle Mobile mund ta përfitojnë falas këtë shërbim në vendet publike më të populluara. Shpejtësia e internetit është e lartë dhe ka kapacitete mjaft të mira për ta përballuar pikun me lehtësi. ALBtelecom Wi-Fi mund të përdoret në çdo pajisje që mbështet këtë teknologji, laptop, tablet dhe telefon smart. Atë mund ta përfitojë çdo përdorues Eagle Mobile, duke dërguar një mesazh në 55544 me tekst WIFI, dhe duke marrë kodin PIN me 8 shifra për përdorim Wi-Fi. Kodi mund të përdoret njëkohësisht deri në tre aparatura me mundësi lidhje Wi-Fi dhe nuk është i limituar vetëm me një aparaturë apo një kartë SIM. Për përdoruesit kjo teknologji ofron gjithashtu edhe avantazhin e kursimit të baterisë. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>