Investim

Albtelecom dhe Eagle Mobile bashkohen zyrtarisht në një kompani të vetme

Sep 10 2012
0 Shpërndarje
Albtelecom dhe Eagle Mobile bashkohen zyrtarisht në një kompani të vetme

Albtelecom” dhe “Eagle Mobile” kanë nënshkruar zyrtarisht disa ditë më parë marrëveshjen që do t’i bashkojë në një kompani të vetme.

Sipas marrëveshjes, “Albtelecom” do të përthithë “Eagle Mobile” dhe dy operatorët do të integrohen në një person juridik. Shoqëria e re do të mbajë emrin “Albtelecom”, ndërsa “Eagle Mobile” do të ngelet si një markë tregtare në pronësi të kësaj shoqërie.

Në fakt, të dyja kompanitë i përkasin të njëjtit aksioner dhe bashkimi nuk ndryshon asgjë në kontrollin mbi aksionet e shoqërisë. Aksioneri kryesor, me 76%, është kompania “CETEL”, konsorcium i kontrolluar në pjesën më të madhe nga grupi turk “Calik”, ndërkohë që një pakicë e aksioneve zotërohen nga “Turk Telekom”.

Procedurat për bashkimin e dy kompanive kishin nisur qysh vitin e kaluar dhe ndërkohë është marrë miratimin e nevojshëm nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe nga Autoriteti i Konkurrencës.

Për të lehtësuar procesin e bashkimit, që nga Prilli i këtij viti, dy kompanitë drejtoheshin nga i njëjti menaxher i përgjithshëm, Orhan Coskun.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes palëve, qëllimi i bashkimit është rritja e rendimentit, ulja e kostove, rritja e numrit të klientëve të dyfishtë dhe përfitimi i një pozicioni më të fortë në treg. Por, në fakt besohet se bashkimi mes dy kompanive i shërben sidomos mbështetjes financiare të aktivitetit të telefonisë së lëvizshme.

Ndonëse ka arritur të marrë një pjesë të rëndësishme të tregut falë politikës së çmimeve të ulëta në planet tarifore me parapagesë, realisht “Eagle Mobile” vazhdon të jetë një shoqëri me humbje, ndonëse vepron në treg që prej vitit 2008.

Sipas bilancit të fundit kontabël, “Eagle Mobile” e mbylli vitin 2011 me një humbje prej 1 miliard lekësh. Bashkimi me “Albtelecom” duket se është bërë kryesisht për të mundësuar subvencionimin e aktivitetit të telefonisë së lëvizshme përmes shërbimeve të telefonisë dhe internetit fiks. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>