Business & Management

Aksionet e Apple arrijnë çmim rekord

Aug 27 2012
0 Shpërndarje
Aksionet e Apple arrijnë çmim rekord

Aksionet e Apple arritën në vlerën e 674.96 dollarë për aksion vetëm disa orë pas publikimit të vendimit të gjyqit. Kjo ishte një rritje prej 1.8% ose pothuajse 12 dollarë për aksion.

Rreth orës 6 pasdite të së premtes, filluan cicërimat e para nga reporterët e sallës së Gjyqit në Kaliforni, ku shkruhej se shumë shpejt do të jepej vendimi. Rreth orës 7 pasdite, juria me 9 persona vendosi që Samsung kishte shkelur patentat (pesë nga shtatë) të Apple dhe për këtë arsye, duhet t’i paguante 1.05 miliardë dollarë dëmshpërblim.

Patentat që u gjykua se ishin shkelur, ishin mënyra e shfaqjes së ikonave në tablet, disa opsione të zmadhimit të ekranit dhe mënyra se si rishfaqeshin në ekran dritaret e mbyllura.

Menjëherë pas përfundimit të gjyqit, Samgung deklaroi “Kjo është humbje për konsumatorin amerikan dhe sjell vetëm ulje të mundësisë së zgjedhjes, të krijimtarisë dhe potencialisht edhe çmime më të larta.”

Sigurisht që gjyqi nuk ka mbaruar ende. Samsung-u do të vazhdojë të apelojë deri në shkallën e fundit që përqëndrohet tek patentat, U.S. Court of Appeals for the Federal Circuit.

Pas një harku kohor prej katër javësh, në datën 20 shtator, Apple do të kërkojë që të ndalohen shitjet e Galaxy S, Galaxy S II, Nexus S, Mesmerize, Vibrant, Fascinate, Skyrocket, Continuum, Prevail, Infuse, Gem, Mesmerize, Indulge, Replenish, Epic 4G Touch, smartfonët Droid Charge, Galaxy Tab dhe Tab 10.1 në tregun amerikan. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>