Business & Management

Aksionerët të pakënaqur, “Plus” largon drejtorin Buchnik

Jul 17 2012
0 Shpërndarje
Aksionerët të pakënaqur, “Plus” largon drejtorin Buchnik

Plus Communication”, operatori i katërt i telefonisë celulare në Shqipëri, ka larguar drejtorin ekzekutiv, Moni Buchnik dhe ka emëruar një menaxher të ri, francezin Julien Coustaury.

Zyrtarisht, “Plus” ka njoftuar se Buchnik ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i kompanisë, për motive personale, por në të vërtetë besohet se ai është larguar nga aksionerët, për shkak të pakënaqësive lidhur me performansën e deritanishme.

Ashtu siç ishte parashikuar, hyrja në një treg të vogël dhe mjaft të ngopur, po rezulton të jetë e vështirë për operatorin e katërt. Megjithë investimet e mëdha, që përfshinë edhe një kredi prej 35 milionë eurosh të marrë nga katër banka shqiptare, rezulatet e deritanishme janë modeste.

Për vitin 2011, “Plus” realizoi një xhiro vjetore prej rreth 760 milionë lekësh, ose më pak se 2% e të ardhurave të tregut.

Ndërkohë, numri i përdoruesve të Plus në fund të vitit 2011 ishte diçka më pak se 400 mijë, ose rreth 7% të tregut. Moni Buchnik kishte ardhur në krye të “Plus Communication” që nga hapja e shoqërisë, në vitin 2010, pa ndonjë përvojë të mirëfilltë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për drejtorin e sapoemëruar, Julien Coustaury. Përvoja e tij e fundit rezulton në kompaninë “Double Recall”, një platformë reklamash për internetin dhe aplikacionet celulare, ku Coustary ishte drejtor operacional.

Gjatë një periudhe të një vjeçare, deri në nëntor 2010, Coustaury ka qenë drejtor i përgjithshëm në kompaninë “Bemobile Ltd”, njëri ndër dy operatorët e telefonisë celulare në Guinenë e Re Papua. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>