Intervista

Akan Ismaili flet për zhvillimin e Ipko-së, dhe për sukseset në biznes

Jan 31 2011
0 Shpërndarje
Akan Ismaili flet për zhvillimin e Ipko-së, dhe për sukseset në biznes

CIO: Kush e ka krijuar IPKO-n, kur është krijuar dhe si ?

A. Ismaili : IPKO ka filluar si projekt në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, diku nga shtatori, në kohën kur në Kosovë nuk ka pasur fare infrastrukturë të telekomunikimit, në kohën kur as telefona madje nuk ka pasur në gjithë qytetin e Prishtinës, e të mos flasim për Kosovën. Në atë periudhë emergjente, në periudhën e ristartimit të jetës, nevoja e një forme komunikimi ka qenë e madhe dhe në atë kohë ne e kemi hapur IPKO-n si një projekt humanitar në fazën e parë. Dhe ka funksionuar si i tillë. Në atë kohë, klientët tanë, klientët e IPKO-s, prej ditës së parë kanë qenë organizata dhe individë që e kanë përdorur internetin edhe më herët. Kërkesat kanë qenë të mëdha. Në të njëjtën kohë, ne jemi munduar që këto mjete komunikimi të jenë edhe në dispozicion të institucioneve që sapo kishin filluar punën, si: organizatat joqeveritare, organizatat humanitare, gazetat, shkollat, pra një balancë midis atyre që kanë paguar për këtë qëllim dhe atyre që e kanë marrë si përfitim dhe si ndihmë lidhjen e internetit.

Mirëpo për shkak të kërkesës shumë të madhe, për shkak të nivelit të lartë të shfrytëzimit nga institucionet e ndryshme në atë kohë, si UN dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare, nevoja për rritje, nevoja për sofistikimin e shërbimit ka qenë shumë e biznesmadhe dhe gradualisht e kemi parë që ishte e pamundur të mbahej në atë formë. Në vitin 2001 themelohet kompania IPKO, e ndarë prej projektit dhe organizatave joqeveritare. Kompania është themeluar nga një grup i stafit të atëhershëm. Në atë kohë, unë dhe z. Bujar Musa ishim aksionarët kryesorë të kompanisë IPKO, mirëpo që nga fillimi kemi pasur një numër më të madh aksionarësh, dymbëdhjetë të tillë. Kjo do të thotë që ka qenë një grup më i madh njerëzish dhe idetë janë marrë dhe janë ndërlidhur ndërmjet tyre, duke sjellë edhe themelimin e IPKO-s. Mirëpo në atë kohë ka qenë vetëm themelimi i një ISP-je (Internet Service Provider), i operatorit të internetit.

CIO: Sa ka ndikuar IPKO në zhvillimin e vendit tonë duke pasur parasysh investimet që janë bërë? A keni statistika konkrete për numrin e vendeve të hapura të punës, investimet, shitblerjet dhe   infrastrukturën?

A. Ismaili : Ndikimi në ekonomi ka qenë i shumanshëm. Ne kemi pasur ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e Kosovës sepse si kompani kemi sjellë mbi 200 milionë euro investime të huaja të drejtpërdrejta në Kosovë. IPKO ka qenë njëri prej projekteve dhe investimeve më të mëdha në Kosovë deri tani. Në anën tjetër, ndikimi i IPKO-s në ekonomi ka qenë i madh për faktin që kur kam qenë në punë, kam lënë rreth 550 punëtorë në kompani. Por numri i vendeve të hapura të punës nuk mbaron këtu sepse përmes IPKO-s kemi edhe një numër të madh kompanish, të cilat një pjesë apo të gjithë stafin ia kanë dedikuar punës me IPKO-n. Ne kemi një numër të madh kontraktorësh, stafi i të cilëve punon për IPKO-n.

Për shkak të vendimeve që kemi marrë në atë kohë, komplet infrastruktura kabllore mirëmbahet prej kontraktorëve, të gjithë klientët në sistemet kabllore instalohen dhe mirëmbahen prej kontraktorëve, mirëmbajtja e shërbirrjetit mobil dhe një numër i madh punësh është kontraktuar nga jashtë. Efekti tjetër, që unë besoj ka qenë i madh në Kosovë, ka qenë heqja e izolimit. Mjetet e avancuara si interneti, telefonia mobile dhe shumë shërbime të tjera të avancuara kanë sjellë sofistikimin e ekonomisë, rritjen e vetëdijes dhe një qasje më të mirë që njerëzit të marrin përvoja, aftësi si dhe mundësi të reja. Besoj që aspekti sekondar është po aq i rëndësishëm për ekonominë kosovare.

CIO: Nuk ka dyshim që për të krijuar dhe zhvilluar një kompani si IPKO ka pengesa dhe sfida të ndryshme. A mund të na tregoni se cili ka qenë projekti më i madh intern i IPKO-s ?

A. Ismaili : Projekti më i madh që kemi ndërmarrë në IPKO pa dyshim ka qenë telefonia mobile. Ndërtimi i rrjetit të telefonisë mobile ka filluar nga zeroja, që në zhargonin ekonomik quhet Green Field. Mirëpo ajo që e ka bërë shumë më komplekse ndërtimin e telefonisë mobile për kompaninë IPKO lidhej me një vendim të bordit dhe menaxhmentit që të mos krijoheshin dy kompani, por një kompani e vetme dhe shërbimi i telefonisë mobile të ishte i integruar brenda kompanisë IPKO që ka ekzistuar atëherë.

Për herë të parë ndoshta ndodh që një telefoni mobile fillon të ofrojë edhe shërbimet e telefonisë fikse, po për herë të parë, sipas informatave që kam për rajonin, një Internet Service Provider (ISP) ka ndërtuar dhe ka operuar telefoninë mobile. Përveç kompleksitetit të ndërtimit të telefonisë mobile në Kosovë, jemi përballuar me një punë jashtëzakonisht të madhe për shkak se nga dita kur kemi marrë licencën dhe deri në ditën kur kemi startuar punën kanë kaluar ndoshta më pak se tetë muaj.

Për këtë kohë ne kemi ndërtuar një rrjet të telefonisë mobile që ka pasur mbulim jashtëzakonisht të madh në Kosovë. Në anën tjetër ka qenë edhe procesi intern i rritjes së kompanisë, që do të thotë se IPKO në atë kohë ka bërë një transformim, pasi ne kemi menaxhuar përveç ndërtimit të rrjetit të telefonisë mobile edhe rritjen e kompanisë IPKO, e cila duhet të ishte bartëse e të gjitha shërbimeve. Ideja ka qenë që ne të krijonim një kompani e cila do të ofronte më shumë se një shërbim, që pikat e shitjes së IPKO-s të ishin një pikë ku do të mund të ofroheshin të gjitha shërbi  met, duke filluar me telefoninë fikse, telefoninë mobile, internetin dhe televizionin, që klienti të mos hutohej dhe hamendej dhe ta kishte sa më të lehtë.

Ky lloj funksionimi na mundësonte daljen e produkteve të reja më të avancuara, ku gjithçka do të ishte e transferueshme, e prekshme: një llogari- një kontratë-shumë shërbime dhe jo e kundërta, ku për çdo kontratë, për çdo shërbim duhej llogari e veçantë.

CIO: Cili ishte qarkullimi vjetor i IPKO-së në vitin tuaj të parë të punës dhe cili në vitin e fundit sa ishit drejtor ? Sa është përqindja e rritjes së kompanisë gjatë asaj periudhe ?

A. Ismaili : Nëse e shikojmë në retrospektivë, në vitin 2001, ku edhe llogaritet si viti i parë si kompani të ardhurat kanë qenë si vijon : në vitin 2001, 1,005 milion euro, në vitin 2009, 62,5 milion euro. Ajo që na ka veçuar nga kompanitë e tjera është se kemi qenë ndër kompanitë e para në Kosovë që ka bërë auditim ndërkombëtar prej ditës së parë të operimit.

Auditimin e jashtëm ne e kemi filluar në vitin 2001, në kohën kur me ligj në Kosovë nuk ka qenë obligim të kesh auditime eksterne; asnjë kompani nuk ka qenë e detyruar që të bëjë auditim ekstern, por ne kemi dashur të krijojmë një kompani ku ambiciet kanë qenë shumë të mëdha dhe si pjesë e atyre ambicieve të mëdha të ndërtonim një bazament të fortë, i cili do t’i përmbushte ambiciet tona.

CIO: A mendoni se tregu i telefonisë mobile është konkurrues me operatorët ekzistues, duke përfshirë edhe operatorët virtualë ?

A. Ismaili : Unë mendoj që tregu kosovar sot është mjaft konkurrues, ai shihet edhe nga çmimet, edhe nëse krahasohet me rajonin. Gjithmonë në treg kemi lëvizje të mëdha çmimesh kur vjen operatori i ri dhe zakonisht ato çmime gradualisht fillojnë të ngrihen. Gjatë këtij viti do të shohim inovacione të
reja, produkte të reja, qasje të reja në mënyrën si ofrohen produktet dhe për pasojë komplet tregu do të jetë mjaft konkurrues.

Viti i kaluar dukej si vit tranzicioni, mirëpo mendoj që këtë vit do të shohim konkurrencë edhe më të madhe në treg dhe mendoj se do të ashpërsohet konkurrenca edhe më tej. Operatorët për mendimin tim janë katër operatorë që synojnë segmentin e njëjtë, që do të thotë klientelë të njëjtë, shërbime të njëjta. Operatorët virtualë gradualisht nuk janë të tillë, por janë shumë konkurrues dhe kemi për të qenë dëshmitarë të një konkurrence të madhe.

CIO: Shqipëria është duke ecur para sa i përket zhvillimit të telefonisë mobile, sapo ka lançuar 3G. Çfarë kërkohet në Kosovë për të mundësuar një shërbim të tillë dhe a është gati IPKO për 3G ?

A. Ismaili : Jam shumë i bindur që të gjithë operatorët janë të gatshëm për 3G, edhe IPKO edhe VALA janë të gatshëm për 3G. Çdo investim duhet të arsyetohet. Investimi i 3G-së duhet të arsyetohet me një kthim të arsye arsyeshëm të atij investimi. Fatkeqësisht, në Kosovë kërkesa për DATA, për transferim të shënimeve në telefoni, është ende shumë e ulët. Dhe ky është biznesi i vetëm që mund të arsyetojë investimet në 3G. Ne si IPKO, ashtu edhe VALA, kemi kapacitete të mjaftueshme në sistemin tonë (G) për t’i plotësuar nevojat dhe për të bërë investime të mëtutjeshme. Me sofistikimin e klientelës sonë, me rritjen e kapacitetit shpenzues ose blerës të klientëve, ata do të mund të shpenzojnë më shumë për DATA dhe kërkesa për DATA do të rritet me ardhjen e telefonave të ashtuquajtur smart phone, Android e sidomos Apple. Me paraqitjen e këtyre telefonave në treg, do të rritet kërkesa për DATA, mirëpo kjo prapë është e lidhur me atë se sa përdoret kjo për biznes, duke pasur parasysh se numri i vogël i bizneseve e ul kërkesën për DATA.

Përderisa nuk ka biznes të arsyeshëm për 3G, atëherë edhe teknologjitë e reja do të vijnë më ngadalë. Në anën tjetër, është edhe një analizë pse të mos investojmë tani në 3G. Është moment jo i mirë për investime në 3G. Ne jemi disa vite larg standardizimit të plotë të gjeneratës së katërt, e cila do të jetë LTE ose diçka e ngjashme. Edhe disa vite duhen që ato të bëhen të favorshme për investimet dhe do ta eliminojnë komplet nevojën për të shkuar në 3G. Ne kemi shansin për ta kapërcyer 3G-në dhe të dalim në teknologji që mundësojnë kapacitete më të mëdha, mundësi më të shumta, aplikacione më të shumta. Do të dëshpëroheshim që filluam 3G-në dhe nuk do të jemi në gjendje ta arsyetojmë më. LTE-ja ka specifika të tjera, kërkon një analizë pak më të mirë, kërkon një qasje më të mirë të rregullatorit, që ta arsyetojë atë investim që bëhet. Pra, me këtë jepet të kuptojmë që është vonë për të investuar në 3G. Është periudha e fundit e lulëzimit të 3G-së dhe veprimeve të saj për faktin se i gjithë sistemi po shkon drejt përparimit, drejt një gjeneratë të re të quajtur LTE.

CIO: Cila është filozofia juaj e punës, a mund të na përshkruani me pak fjalë ?

A. Ismaili : Shumë e thjeshtë: puna ekipore, ekipi është gjithçka. Unë nuk besoj në krijimin e kompanive ku gjithçka kontrollohet prej një personi. Ndoshta njëri prej sukseseve të IPKO-s ka qenë puna ekipore, ku involvimi i njerëzve ka qenë i domosdoshëm, edhe debatet edhe luftërat e ideve kanë qenë prezente që prej ditës së parë dhe kjo ka bërë që të ngrihet niveli në përgjithësi.

CIO: Cili ka qenë momenti më i bukur kur keni qenë drejtor i përgjithshëm i IPKO-së ?

A. Ismaili : Ka pasur shumë momente të bukura. Unë shpeshherë e them që momenti më i bukur ka qenë pas përfundimit të ndonjë pune të madhe ose pas përfundimit të ndonjë projekti të madh, mirëpo dita vijuese. Këto janë momente të bukura për shkak se kemi arritur një sukses kur kemi përfunduar një punë të madhe, një projekt të madh, ka qenë periudha kur i jemi gëzuar suksesit, i jemi gëzuar punës sonë, mirëpo një ditë më vonë kemi thënë po tani?!

Shumica e gjërave më të mira kanë ardhur si rezultat i asaj dite pas përfundimit të punëve, të ideve dhe punëve që kemi nisur një ditë pas përfundimit të një pune tjetër. Edhe kur kemi filluar ISP-në, kabllorin, televizionin, internetin të gjitha në një vend, kur ia kemi shitur kompaninë telekomit slloven, kur kemi marrë licencën për telefoninë mobile, kur kemi ndërtuar rrjetin mobil dhe kemi filluar punën, gjithmonë e kemi filluar një ditë më pas duke thënë po tani?! Dhe të gjitha gjërat e mëdha kanë ardhur si rezultat i gëzimit të asaj feste. Pra, këto janë momentet më të mira për mua në IPKO.

CIO: Në fund, ku do ta shohim Akan Ismailin pas largimit nga IPKO ?

A. Ismaili : Prapë do të jem i involvuar në biznes, pasi unë dhe z. Bujar Musa, që kemi qenë partnerë seniorë edhe në IPKO, kemi themeluar një biznes. Kemi themeluar FundWay, një fond investimesh. Ideja është që të shfrytëzojmë rrjetin e kontakteve që kemi krijuar gjatë këtyre 10 viteve të fundit, që të sjellim sa më shumë investime të huaja në Kosovë. Ne shohim se në tregun e Kosovës ka hapësirë të madhe për të bërë biznes, mirëpo ai është i kthyer nga vetvetja, nga tregu i Kosovës, askush nuk e shikon si një treg ku investitorët e huaj të tërhiqen dhe të vijnë.

Të huajt zakonisht kërkojnë partnerë seriozë dhe kredibilë, prandaj ne jemi duke shfrytëzuar kredibilitetin tonë dhe po i prezantojmë ide të ndryshme për investime rrjetit që kemi. Shumë shpejt do të shohim edhe disa kompani që dalin drejtpërdrejt nga FundWay. Është një fond investimesh i cili identifikon projekte ose lëmi për investime në Kosovë, përgatit analizën dhe ato projekte i prezanton tek investitorët e huaj zakonisht dhe bashkërisht fillojmë dhe themelojmë kompaninë. Pra, thjesht është kompani që themelon kompani të tjera.

Lajmet e fundit>