Siguri

A mund ta dini vërtet kush ju shikon profilin në Facebook

Oct 23 2012
0 Shpërndarje
A mund ta dini vërtet kush ju shikon profilin në Facebook

Të gjithë kemi parë dhjetëra aplikacione që premtojnë se mund t’ju tregojnë kush ju sheh profilin në Facebook. Ndoshta ish i dashuri? Ndoshta kolegët e punës që tentojnë të shohin fotot e verës?

Apo mbase prindërit që duan të shohin jetën tuaj private? Problemi është se asnjëri prej këtyre aplikacioneve nuk sjell rezultate. As edhe njëri. Të jeni 100% të sigurte, se cilido shërbim që thotë “Kontrolloni kush ju sheh profilin” apo diçka të ngjashme, është një aplikacion me virus. Këto lloj programesh kërkojnë t’iu vjedhin fjalëkalimin tuaj të Facebook-ut, ose mund të instalojnë spam-e që shqetësojnë miqtë tuaj në Facebook.

Duhet të keni shumë kujdes kur hasni programe të tilla. Pse? Sepse i gjithë ky proces bie ndesh me rregullat e Facebook-ut. Nëse keni instaluar tashmë një aplikacion të tillë, sigurohuni që ta hiqni atë nga lista e aplikacioneve që lejoni të aksesojnë të dhënat tuaja.

Megjithatë, ka disa hapa që mund t’ju ndihmojnë të krijoni një ide se kush vërtitet rreth profilit tuaj. Ndoshta nuk do të gjeni atë që dëshironi vërtet, por lexoni më poshtë disa marifete të vogla. Mos harroni: Mos e kaloni kufirin midis kuriozitetit dhe shkeljes së privatësisë!

Gjurmuesit statistikorë dhe analizat

Një gjurmues statistikor nuk ju tregon ekzaktësisht se kush e ka parë profilin tuaj, por shtimi i tij në faqen e Facebook-ut ju tregon për numrin e personave që kanë klikuar në të. Fillimisht, duhet të shtoni në profilin tuaj një aplikacion që ju lejon të shfaqni HTML ose FBML. Ka shumë aplikacione që bëjnë këtë punë, thjesht kërkoni me fjalët kyçe “HTML” ose “FBML” në Facebook. Pasi të keni kryer këtë hap, vendosni kodin në kutizën e saj. Mos u shqetësoni, nuk duhet ta shkruani vetë kodin. Ato mund t’i gjeni në vende si StatCounter.com, e cila ju tregon edhe hapat në vazhdim. Pasi të vendosni këto kode në kutizën e HTML apo FBML në Facebook, mund të ndiqni se sa është numri i personave që kanë parë profilin tuaj.

Analizat, si për shembull Google Analytics vlejnë për faqet e fansave. Përmes tyre mund të ndiqni trafikun e faqes tuaj dhe të nxirrni statistika të vlefshme. Së fundmi, ju themi se dizajnuesit e aplikacioneve provojnë herë pas here krijimin e aplikacioneve që thyejnë rregullat e Facebook-ut dhe ndonjëherë ia arrijnë qëllimit.

Megjithatë, kompania është tepër e kujdesshme dhe e shpejtë, duke bërë që këto lloj aplikacionesh të mos ekzistojnë më brenda një kohe të shkurtër. Ju mund të tregoheni symprehtë dhe ndonjëherë edhe mund të gjeni aplikacione të tilla para se ato të ndalohen por deri atëherë, mësohuni të jetoni me faktin se përfundimisht, nuk mund ta shihni kush ju kontrollon profilin e Facebook-ut!. (CIO Albanian)

Who Views Your Facebook Profile

 

Lajmet e fundit>