Business & Management

A është tashmë Nokia kërcënim serioz për Apple

Jan 14 2013
0 Shpërndarje
A është tashmë Nokia kërcënim serioz për Apple

Nokia AppleAksionet e Nokia-s u rritën me 20% ditën pas publikimit se kompania kishte shitur 4.4 milionë njësi Lumia(15.9 milionë smartfonë në total) gjatë tremujorit të fundit të vitit, që do të thotë një përmirësim me 50% nga periudha e kaluar.

Shifrat, të cilat ishin më të mira se ato që priteshin, u rritën veçanërisht nga modelet Lumia, të cilat operojnë me sistemin operativ të Microsoft-it (Windows Phone).

Ditën e enjte, shefi ekzekutiv i kompanisë Stephen Elop, u shpreh: “Zbatimi i saktë i strategjisë sonë bëri që të tejkaloheshin parashikimet dhe të arriheshin tregje të reja.”

Sigurisht që kompania meriton të përgëzohet për performancën e muajve të fundit. Këtë po e tregojnë edhe investitorët, të cilët kanë filluar të shprehen publikisht se këto mund të jenë hapat e parë të ringritjes së Nokia-s.

Madje, disa prej tyre shkojnë edhe më larg, duke thënë se kompania është tashmë një konkurrente serioze dhe një kërcënim për Apple.

Ndryshimet e reja janë padyshim inkurajuese, por le të mos gëzohemi para kohe. Kompania ka ende shumë rrugë për t’u ngjitur deri në majat më të larta. Një pengesë e re do të jetë të tejkalojë Research In Motion pas lançimit të BB10, nëse ky i fundit do të jetë i suksesshëm.

Nga ana tjetër, edhe Amazon do t’i bashkohet garës së telefonave ndoshta gjatë këtij viti, prandaj rruga drejt suksesit do të vështirësohet për Nokia-n. Çfarë duhet të bëjë Nokia për të rritur përqindjen e tregut? Të mendojë jashtë kufijve. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>