IT Organizate

8 mënyra si mund t’i mbani në punë punonjësit më të talentuar të IT-së

Jun 18 2013
0 Shpërndarje
8 mënyra si mund t’i mbani në punë punonjësit më të talentuar të IT-së

ITTregu i sotëm është mjaft konkurrues, prandaj është e rëndësishme të kesh punonjës të talentuar në IT. Por si mund t’i mbani në kompaninë tuaj këta talente? A është rritja e rrogës gjithmonë përgjigjja e duhur në këto raste?

Në një sondazh të realizuar së fundmi mes 2600 profesionistë të Linux-it, tre ishin përgjigjet me më shumë vota: më tepër para, ekuilibër më të mirë mes jetës profesionale dhe asaj personale si dhe orar fleksibël apo telecommuting (puna nga shtëpia përmes internetit).

Sondazhi në fjalë është realizuar nga Linux Foundation dhe rezultatet e plota të tij mund t’i gjeni në 2013 Linux Jobs Report.

Për të parë se sa rëndësi kanë vërtet paratë dhe fleksibiliteti në atë çfarë kërkojnë më tepër profesionistët e IT-së, CIO.com ka pyetur dhjetëra rekrutues dhe ekzekutivë IT-je. Më poshtë ju paraqesim tetë top sugjerimet e tyre që mund t’ju ndihmojnë t’ua bëni punën më të kënaqshme punonjësve tuaj më të mirë dhe për t’i bërë ata të qëndrojnë sa më gjatë pranë kompanisë suaj.

1. Përfshijini në marrjen e vendimeve. Ata duan që t’u dëgjohet zëri dhe duhet t’u jepet mundësia për ta arritur këtë gjë.

2. Mos menaxhoni në mënyrë të ngushtë. Kjo do të thotë t’u jepni atyre hapësirë të shfaqin veten. Mos i kufizoni duke u thënë se si duhen zgjidhur problemet, por dëgjoni fillimisht. Në këtë mënyrë ata do të ndihen më të fuqishëm dhe më të rëndësishëm.

3. Ofrojuni orar fleksibël. Një nga arsyet pse shumë kompani kanë arritur të marrin në punë dhe të mbajnë për një kohë të gjatë talentet e IT-së kanë qenë orët fleksibël që ofronin. Pse? Sepse kjo i bën punonjësit më të kënaqur.

4. Investoni në trajnime. Ofrojini stafit të IT-së mjetet dhe trajnimet e duhura për t’i vënë në kontakt me të rejat e teknologjisë. Kjo jo vetëm për arsyen se është pjesë e punës së tyre, por njëkohësisht është pasion i tyre për të njohur risitë e fundit teknologjike.

5. Ofrojuni akses në teknologji të reja. Punonjësit e IT-së frymëzohen kur kanë mundësi të punojnë me të rejat dhe më të mirat e teknologjisë. Kjo i bën jo vetëm të lumtur por edhe iu rrit interesin për punën.

6. Vlerësojini dhe shprehuani këtë gjë. Fitoret, të vogla apo të mëdha qofshin, duhen fituar dhe duhen bërë të njohura në të gjithë kompaninë. Punonjësit që vlerësohen dhe shpërblehen janë zakonisht më të lumtur dhe ndihen më besnikë ndaj kompanisë së tyre.

7. Ofrojuni gjëra pa pagesë. Këtu është momenti për t’u treguar krijues. Për shembull, mund t’u ofroni pica falas të premteve, apo masazhe pagesë, ose 50 $ karburant. Kjo është një mënyrë e tërthortë për t’iu shprehur atyre vlerësimin.

8. Mos harroni pagën. Ofrojuni atyre shpërblim të konkurrueshëm në treg. Edhe pse ndoshta jo të gjithë motivohen totalisht nga paga, ajo mbetet gjithsesi një pjesë mjaft e rëndësishme. Sigurohuni që punonjësit tuaj paguhen në mënyrë të konkurrueshme bazuar në aftësitë e tyre. (CIO Albanian)

Tags >

it
Lajmet e fundit>