Microsoft

5 probleme që duhet të rregullojë Microsoft-i në aplikacionet e Office-it në ueb

May 15 2013
0 Shpërndarje
5 probleme që duhet të rregullojë Microsoft-i në aplikacionet e Office-it në ueb

office web appsNjë pjesë e madhe prej nesh i përdorim produktet e Microsoft-it çdo ditë.

Duke qenë në marrëdhënie pune me kolegët e tjerë, na duhet shpeshherë të përdorim edhe aplikacionet e Office-it në ueb, suitës së produktivitetit më të përdorur në botë. Në to mund të shohim paraprakisht dokumentet që na vijnë në e-mail apo të përdorim SkyDrive në grupin e punës për të shtuar apo modifikuar materiale.

Por, pavarësisht shumëllojshmërisë së produkteve që ofron Microsoft-i në ueb, jo të gjitha janë mjaftueshëm të mira, të paktën në rastet kur kemi dokumente kritike. Por kjo gjë mund të ndryshojë vitin tjetër.

Office Web Apps përbëhet nga Word, PowerPoint, Excel dhe OneNote, si pjesë e shërbimit cloud Microsoft SkyDrive. Kompania është shprehur së fundmi se do të shtojë shërbime të reja, të cilat do t’i ndihmojnë përdoruesit të krijojnë dokumente Office nga fillimi në fund, të gjitha në ueb.

Ndër veçoritë e planifikuara për t’u përmirësuar janë autorësia e përbashkët, lançimi më i shpejtë, menaxhimi më i mirë i skedarëve si dhe suporti për Android.

Por cilat janë disa sugjerime që ka bërë CIO.com për një prej aplikacioneve më të përdorur, Word-it?

1. Ruajtje automatike për dokumentet në Word. Excel Office Web app e ka opsionin e ruajtjes automatike, por në Word ky opsion mungon ende.

2. Rregullimi i problemeve me lidhjen. Për shembull, ka raste kur dalin njoftime se “korrigjimi i shkrimit” nuk punon më, apo se nuk mund ta ruani dokumentin për shkak të problemeve në serverin e Microsoft-it.

3. Të mos tregohen kaq kopracë me rreshtat e rinj. Kur shkohet drejt fundit të një dokumenti në Word Web App, Microsoft-i “tregohet” shumë koprac kur vjen puna tek krijimi i rreshtave të rinj. Për shembull, në Google Docs ky problem nuk ndodh. Nëse jeni afër fundit të faqes, Google Docs shton një faqe të re dhe në mënyrë automatike ju zbret poshtë me ngadalë por pa ju çorientuar nga rreshti ku po shkruani.

4. Butoni i minimizimit të shiritit duhet të jetë më i madh dhe më i dukshëm.

5. Klikimi me të djathtën për SkyDrive. Nëse jeni në SkyDrive, nuk ka ndonjë mënyrë të thjeshtë për të hapur një tab të ri SkyDrive nëse jeni brenda një aplikacioni ueb. Për shembull, mund të keni të dhëna në një dokument tjetër të cilat doni t’i shihni në një tab të ri. Për momentin, nëse duhet të shkoni sërish në pjesën e SkyDrive-it ku ndodhet dokumenti, duhet të hapni një tab të ri dhe të navigoni për ta gjetur (ose të përdorni CTRL + klikim në folderin që ju shfaqet në krye të dokumentit ku po punoni). Ndërkohë, në cepin e majtë në krye të çdo dokumenti ndodhet një link i klikueshëm i SkyDrive-it. Por, nëse doni ta klikoni me të djathtën këtë link për ta hapur në një tab të ri, do të shihni se ky opsion është i çaktivizuar (kushedi përse!) (CIO Albanian)

Tags >

microsoft
Lajmet e fundit>