Internet

5 gabime që duhet të evitoni në uebfaqen tuaj tregtare mobile

Feb 25 2014
0 Shpërndarje
5 gabime që duhet të evitoni në uebfaqen tuaj tregtare mobile

mobile-shopping-786x305Biznesi juaj online vizitohet padyshim nga shumë përdorues mobile të cilët e aksesojnë faqen përmes tabletëve apo smartfonëve të tyre. Kjo do të thotë se një paraqitje sa më dinjitoze dhe sa më e përshtatshme është thelbësore për këtë kategori gjithmonë e në rritje përdoruesish. Thjeshtëzimi dhe optimizimi i faqes suaj mobile është një prej elementeve që ju krijon avantazh konkurrues mbi rivalët tuaj.

Teorikisht, një pjesë e madhe e bizneseve mund ta kuptojnë këtë gjë, por sa janë realisht ata që i kushtojnë vërtet rëndësi këtij elementi? Jo shumë, të jeni të sigurt. Janë të paktë ata shitës që ofrojnë një faqe të rehatshme mobile dhe janë të shumtë ata që bëjnë gabime kritike kur vjen puna tek tregtia mobile.

Këto janë pesë prej problematikave kryesore që duhet të evitoni:

1. Mbikomplikimi i kryefaqes suaj mobile. Duke qenë se pjesa më e madhe e trafikut mobile kalon përmes faqes suaj kryesore, mendoni se sa më shumë informacione që t’iu jepni konsumatorëve që në fillim, aq më mirë është. Por, mos harroni se pajisjet nga po aksesohet faqja janë smartfonë dhe tabletë, të cilët kanë ekran më të vogël se kompjuteri, dhe sa më shumë kompleksitet të ketë aq më e vështirë do te jetë faqja për t’u naviguar dhe aq më shumë shpërqëndruese. E për më tepër, ngarkesa e tepërt me elemente e kryefaqes do të ngadalësojë në tërësi ngarkimin e saj, çka është një prej ankesave kryesore të përdoruesve.

2. Proçes i komplikuar për pagesën (checkout-in). Imagjinoni të vendosni sa më shumë informacione në një faqe prej 4 inç. Pas pak kohësh, fillon e bëhet e bezdisshme. Kështu që përpiquni ta mbani në minimum listën elementeve që kërkoni të plotësohen. E dini se 66 % e përdoruesve nuk e çojnë deri në fund transaksionin për shkak të pengesave që iu shfaqen gjatë checkout-it?

3. Nxjerrja në pah më shumë se ç’duhet e kodeve QR. Edhe pse kodet QR (quick response) mund të duken si një mjet inovativ marketingu, konsiderojini si diçka të vjetruar. Me pak fjalë, kodet QR kërkojnë shumë gjëra nga përdoruesit: për të njohur kodin QR duhet të nxjerrin pajisjet mobile, të hapin aplikacionin (supozojmë se e kanë një të tillë), të pozicionojnë kamerën, të bëjnë foton, të dërgojnë kodin QR në rrjet, të presin përgjigje dhe pastaj të shkojnë në faqen tuaj. Vetëm në rastet se keni vënë re sukses me kodet QR ia vlen ta përdorni.

4. Një e-mail aspak i optimizuar për mobile. Në janar 2014, 51 % e e-mail-eve u hapen përmes një pajisje mobile. Kjo do të thotë se nëse e-mail-et tuaja nuk janë të optimizuara për mobile, po bëni një gabim gjigand. Gjithsesi, fillimisht shikoni statistikat e e-mail-eve që u keni dërguar konsumatorëve dhe nisni vlerësimin nga atje.

5. Pamundësia për të luajtur/shkarkuar në pajisje. Sigurohuni që gjithçka që gjendet në faqen tuaj, veçanërisht dokumentet dhe videot, të jenë të aksesueshme në një pajisje mobile. Për shembull, Flash ka probleme me iOS-in, çka do të thotë se përdoruesit e këtyre platformave nuk e shohin dot përmbajtjen e ndërtuar në të. Edhe me skedarët PDF vlen e njëjta gjë për përdoruesit iOS: Apple dhe Adobe nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin. E rëndësishme në këtë pikë është fakti se Google ka thënë qartësisht që përmbajtjet e paaksesueshme janë ndër gabimet kryesore të faqeve mobile. Dhe, nëse e thotë Google, bëni mirë t’ia vini veshin. (CIO Albanian)

Tags >

uebfaqe
Lajmet e fundit>