Business & Management

5 aftësi që duhet të zotëroni që ju mbajnë gjithmonë në punë

Mar 22 2013
0 Shpërndarje
5 aftësi që duhet të zotëroni që ju mbajnë gjithmonë në punë

Job SkillsSipas një sondazhi të fundit në SHBA, vetëm gjysma e të sapodiplomuarve në vitin 2012 kanë gjetur punë që i përshtaten degës që ata kanë mbaruar. Nga ana tjetër, rreth 40% e punëdhënësve shprehen se nuk arrijnë dot të plotësojnë vendet bosh në kompaninë e tyre që lidhen me marrjen në punë të të rinjve. Bazuar në këto dy fakte, duket qartë që kemi një mungesë lidhjeje mes dy entiteteve.

Por cilat janë aftësitë që jo vetëm një student i sapodiplomuar duhet t’i zotërojë për të fituar një pozicion pune, por edhe ato që i mbajnë të punësuarit në punë me kalimin e kohës?

Më poshtë paraqitet një listë me pesë aftësitë më të rëndësishme në botën e sotme të biznesit:

1. Shkrimi

Aftësitë në të shkruar janë tepër të rëndësishme pasi pothuajse gjithçka në ditët e sotme rrotullohet rreth tij. Komunikimi bëhet në pjesën më të madhe të kohës me e-mail apo elektronikisht. Aftësitë e shkëlqyera në të shkruar ju diferencojnë ndjeshëm nga shumë kërkues të tjerë për punë. Një nga elementet që i tërheq gjithmonë punëdhënësit janë blogjet. Nëse u thoni atyre se keni një blog personal, të jeni të sigurt se do t’u bëjë përshtypje dhe në rastin më të parë do ta lexojnë atë.

2. Marketingu në ueb

Takimet ballë për ballë apo trokitjet në dyert e konsumatorëve janë diçka që i përket së kaluarës. Një pjesë e konsiderueshme e kompanive investojnë fuqishëm në kapjen e klientëve potencialë përmes internetit, përmes reklamave online, përmbajtjes së tyre në uebfaqe, marketingut përmes e-mailit etj. Të gjitha këto kërkojnë edhe njerëz që t’i mbështesin në mënyrën e duhur.

3. Marketingu përmes motorëve të kërkimit

I ngjashëm me marketingun në ueb, është edhe optimizimi i marketingut përmes motorëve të kërkimit. Kjo do të thotë që njerëzit të kenë disa njohuri bazë mbi gjenerimin e trafikut të uebfaqes përmes kërkimeve në motorët e kërkimit online, sepse në fund të fundit është një nga mënyrat më të mira për të fituar klientë të rinj. Mos harroni se 65% e kërkimeve realizohen përmes Google.

4. Mediat sociale

Gjithmonë e më tepër kompanitë po kuptojnë rëndësinë e mediave sociale për tërheqjen e klientëve të rinj dhe shitjen e produkteve të tyre. Njohuri të mira në përdorimin e Twitter, Facebook dhe LinkedIn janë të rëndësishme në kompanitë që synojnë të zhvillojnë strategjitë e tyre në rrjetet sociale.

5. Programimi

Sigurisht që nuk mund të jemi të gjithë programues dhe kjo pikë nuk përpiqet absolutisht ta ndryshojë këtë fakt. Në këtë rast bëhet fjalë për njohuri bazë në ato që quhen për shembull “markup languages” si HTML, e cila është e thjeshtë për t’u kuptuar nga kushdo, pavarësisht profesionit. Avantazhi në këtë rast është se nuk ju duhet të filloni një kurs të veçantë për ta mësuar, pasi online mund të gjeni plot tutoriale apo libra me informacione të bollshme. (CIO Albanian)

Tags >

biznes
Lajmet e fundit>