Business & Management

15% e investimeve të huaja në telekomunikacione

Sep 3 2012
0 Shpërndarje
15% e investimeve të huaja në telekomunikacione

15% e investimeve të huaja në Shqipëri janë kryer në sektorin e telekomunikacioneve. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, në pesë vitet e fundit, Investimet e Huaja Direkte (IHD) në sektorin e telekomunikacioneve prekën vlerën e 445 milionë eurove.

Në fakt, sektori i telekomunikacioneve ka qenë një ndër aktivitetet më dinamike të shërbimeve në Shqipëri dhe mori zhvillim kryesisht përmes privatizimeve dhe investimeve pasuese të investitorëve të huaj dhe, në një farë mase, edhe falë investimeve vendase.

Por IHD-të në këtë sektor pësuan rënie gjatë viteve të mëvonshme dhe përqindja e tyre në totalin e rezervës së IHD-ve ra në 15% në vitin 2010. Në maj të vitit 1996 në Shqipëri u fut kompania e parë celulare nga “Albanian Mobile Communication” (AMC), asokohe kompani shtetërore. Në vitin 2009, 85 përqind e aksioneve të AMC-së iu shitën konsorciumit “Cosmote” (Greqi) – “Telenor” (Norvegji).

Në qershor të vitit 2001, “Vodafone Albania”, filial i kompanisë “Vodafone” (Mbretëria e Bashkuar) ishte kompania e dytë celulare që mori liçensën për të operuar në Shqipëri. Kompania e tretë celulare, “Eagle Mobile”, hyri në treg në muajin tetor të vitit 2008, ndërsa kompania e katërt, fillimisht një joint venture (bashkë ndërmarrje), midis kompanive shqiptare dhe zyrës së “Post & Telekomunikacionit të Kosovës” mori liçensën në vitin 2009.

Operatori i telefonisë fikse, Albtelekom sh.a. u privatizua nga “Calik Enerji Telekomünikasyon” (Turqi) dhe nga partneri i vet “Turk Telekom”.

Si rrjedhojë e investimeve pas privatizimeve, si edhe e investimeve nga operatorët e rinj në treg, numri i lidhjeve në telefoninë fikse në Shqipëri u rrit me 30 përqind duke shkuar në 360,000 abonentë, ndërsa numri i abonentëve të telefonisë celulare u trefishua duke mbërritur në mbi 4.16 milionë abonentë midis viteve 2005 dhe 2009.

Ky nivel i penetrimit të telefonisë celulare është i ngjashëm me atë të vendeve të zhvilluara si p.sh. Gjermania. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>