Karriere

12 rekomandime për një Letër Motivimi të përshtatshme

Apr 11 2013
0 Shpërndarje
12 rekomandime për një Letër Motivimi të përshtatshme

leter motivuseCut & Paste nuk është mënyra e duhur për të fituar një intervistë pune.

Personat në kërkim të një pune bëjnë vazhdimisht të njejtin gabim duke dërguar letra motivimi të kopjuara, të cilat nuk i ndihmojnë që të përfitojnë vendin e dëshiruar të punës.

Është shumë e nevojshme që letrat e motivimit të jenë të realizuara mirë dhe të përshtaten sa më shumë në mënyrë që të dalloni nga dhjetra aplikantë të tjerë.

Shkrimi i një letre motivimi mund t’ju ndihmojë që të jeni konkurrues në tregun e punës të IT-së. Ekspertë të industrisë kanë dhënë këshillat e mëposhtme për t’ju ndihmuar të shkruani një letër të tillë motivimi që do të jetë hapi i parë në fitimin e një vendi pune.

1.Gjithnjë dërgoni një letër motivimi

Është gjithnjë e këshillueshme që të përfshihet një Letër Motivimi e shkurtër pasi asnjëherë nuk mund të dish se çfarë kërkon tamam punëdhënësi dhe mund të humbisni mundësinë e promovimit. Duhet përfituar nga çdo shans që ju ofrohet për të treguar sa më tepër rreth vetes.

2.Krijoni një Letër Motivimi të përshtatshme

Letra e motivimit duhet të përshtatet për çdo pozicion, duhet të jetë unike për çdo kompani specifike që ju po aplikoni.

3.Zbuloni sa më shumë rreth punëdhënësit të ardhshëm

Mundohuni të zbuloni sa më tepër rreth punëdhënësit të ardhshëm dhe pozicionit për të cilin po aplikoni. Përdorni Facebook, LinkedIn, Glassdoor apo faqe të tjera. Duhet të tregoni se e njihni mirë kompaninë dhe se jeni të familjarizuar me sfidat dhe oportunitetet e organizatës së tyre dhe industrisë në të cilën operon kjo organizatë.

4.Mos përsërisni çfarë keni shkruar në CV

Hapësira është e vogël dhe nuk ka vend për fjalë të tepërta. Mundohuni të specifikoni aftësitë tuaja dhe si mund të ndihmojnë ato punëdhënësin tuaj. Theksoni dhe zgjeroni më tepër faktet më interesante të CV-së tuaj.

5.Zbatoni rregullat e pikësimit dhe ato gramatikore

Do të përbente një disavantazh të madh për ju paraqitja e një Letre Motivimi me gabime gramatikore apo me përdorim zhargonesh. Pavarësisht se nuk do të rezultonte direkt në skualifikimin tuaj do të ishte mirë që të shmangej.

6. Përpiquni të jeni sa më të saktë

Ekspertët këmbëngulin vazhdimisht se letra ideale e motivimit duhet të jetë e shkurtër dhe e përqëndruar me jo më tepër se tre paragrafë.

7.Personalizoni Letrën e Motivimit

Sipas ekspertëve duhet të tregoheni të mençur, të mësoni sa më tepër rreth menaxherit të ardhshëm dhe të shkruani letrën në mënyrë të tillë që të duket sikur letra është e adresuar vetëm për të. Mund t’ju ndihmojnë shumë informacionet në Facebook ose LinkedIn.

8.Përshkruani shkurt arritjet tuaja

Në momentin e përshkrimit tëë arritjeve tuaja indirekt po i thoni punëdhënësit tuaj “Unë e kuptoj se çfarë po kërkoni, mund të realizoj kërkesat tuaja shumë mirë dhe këto arritje e shpjegojnë më mirë pse është kështu.” Nëse i përshkruani arritjet tuaja me mençuri do të mund i tregoni menaxherit se jeni përballur më parë me probleme të ngjashme dhe të specifikoni si mund t’i ndihmoni ata konkretisht.

9.Krijoni një paketë konsistente

Rekomandohet një paraqitje uniforme e CV-së dhe Letrës të Motivimit. Në qoftë se doni të prezantoheni si një paketë uniforme dhe konsistente atëherë duhet ta pasqyroni këtë edhe në stilin dhe shkrimin e CV-së tuaj.

10.Transmetoni pasionin dhe entuziazmin tuaj

Identifikoni hapin e ardhshëm si p.sh “Do t’ju kontaktoj javën tjetër përsëri për të lënë takim personalisht.” Kjo tregon se ju jeni shumë i interesuar për kët pozicion.

11.Përdorni fjalë kyçe të përshtatshme

Është e rëndësishme që të përdorni fjalë kyçe, megjithatë nuk duhet të sforcoheni shumë në këtë pjesë pasi është mirë që të tingëllojnë sa më natyrale. Sigurohuni të transmetoni saktë atë që keni në mendje.

12.Përdorni formatin e duhur

Konvertoni letrën e motivimit dhe CV-në në formatin PDF në mënyrë që të shmangni ndryshimet e papritura të të dhënave. Janë të dhënat tuaja dhe nëpërmjet tyre do të krijoni përshtypjen e parë tek punëdhënësi i ardhshëm. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>