Aplikacione

10 për X: Një dekadë e Mac OS X

Apr 21 2011
0 Shpërndarje
10 për X: Një dekadë e Mac OS X

Më 24 mars 2001, iMac ishte vetëm tre vjeç, iPod ishte në treg për më se gjashtë muaj dhe Mac kishte një shpejtësi marramendëse prej 773MHz. Por më e rëndësishmja e të gjithave është se Apple (AAPL) po atë ditë hodhi në treg versionin e parë zyrtar të Mac OS X, duke ndryshuar të ardhmen e platformës së saj përgjithmonë. Gjatë asaj kohe askush nuk e dinte se lançimi i koduar si Cheetah ishte hapi i parë i transformimit të Apple nga një kompani pothuajse e shkatërruar në kompaninë e dytë më të vlefshme në botë. Mac OS X ishte një shenjë se drejtimi i kompanisë më të vërtetë kishte ndryshuar, pas përpjekjeve disavjeçare për të modernizuar Mac OS. Arritja kryesore e Mac OS X, më shumë se çfarëdo tjetër, është se u hodh në treg.

Rruga drejt një versioni më të ri të Mac OS ishte njollosur nga dështimi i disa projekteve të mëhershme: Taligent, Copland, Gershwin. Ndonëse në treg versioni beta u hodh herët, versioni i parë i Mac OS X ishte shumë larg përsosmërisë: ai nuk mund të luante DVD ose të regjistronte CD; performanca ishte shumë e ngathët dhe ndërfaqja ishte shumë më ndryshe -më e dobët- sesa e paraardhësit të tij.

Mirëpo Apple bëri atë që bën zakonisht dhe gjatë viteve në vijim kompania lançoi azhurnim pas azhurnimi, të vogla dhe të mëdha, duke e përmirësuar sistemin në një multitudë formash derisa dalëngadalë po triumfonte. Dhjetë vite më vonë, Mac OS X është pa asnjë dyshim ende larg perfeksionit. Pyetni cilindo përdorues të Mac dhe ju garantoj që, pa ndonjë hezitim, do t’ju shkruajë një listë gjërash që e bezdisin rreth sistemit operativ që përdor çdo ditë.

Mirëpo nëse e masni shkallën e kënaqshmërisë së shumicës së përdoruesve të Mac në një grafik joshkencor, unë jam shumë i sigurt se këto pakënaqshmëri minore do të vazhdojnë të bien me kalimin e kohës. Për mua nuk ka testament më të mirë të suksesit të Mac OS X sesa ato të vetë miqve dhe familjarëve të mi. Gjatë viteve të ‘90-ta, shumica prej nesh ishim përdorues të PC-ve, madje edhe ata që përdornin Mac shumë shpejt kaluan te PC-të – për të vetmen arsye se PC-të ishin shumë më të lirë sesa Mac-ët e asaj kohe.

Por tani, dhjetë vjet pas lançimit të Mac OS X, ata kanë më shumë shanse të blejnë MacBook me një kornizë alumini sesa një Dell të lirë prej plastike. Edhe pse ky ndoshta nuk mund të jetë një akt i rëndësishëm kryesisht në fushën e sistemit operativ- megjithatë përkushtimi i Apple në disenjin harduerik është shumë larg konkurrentëve dhe është shumë vështirë të argumentohet se Mac OS X nuk ka luajtur një rol kyç në këtë drejtim. Pas së gjithash, shumica e përdoruesve të PC-ve nuk kanë qenë në gjendje t’ju tregojnë se çfarë nënkuptojnë tërë këto gjëra.

Jo, ata kaluan në Mac për shkak se Apple përmirësoi Mac OS X, duke përdorur një filozofi shumë të thjeshtë: sistemi operativ nuk është një qëllim në vetvete; ai ka të bëjë me thjeshtësinë që duhet të hasim kur përdorim kompjuterët për të bëra gjëra të caktuara. Kjo është filozofia e njëjtë që Apple ka bërë edhe me iPhone dhe iPad dhe sipas mendimit tim kjo është arsyeja që këto produkte kanë arritur sukses kaq të madh.

Çuditërisht, është shumë e vështirë të mos shohim ndikimin e Mac OS X në shumicën e vendimeve kryesore që Apple ka bërë në dekadën e kaluar, pa marrë parasysh a është rëndësia e iTunes, tranzicioni i procesorëve Intel (INTC) apo zhvillimi i pajisjeve iOS—të cilat, në fund të fundit, bazohen në të njëjtin sistem operativ X si edhe Mac.

Teksa i afrohemi dekadës së dytë me Mac OS X, sistemi operativ i Mac do të pësojë disa ndryshime të mëdha, ndoshta jo më të vogla sesa ato të Mac OS klasik. Në sistemin e ardhshëm operativ Mac OS X Lion, studenti bëhet mësues: Apple ka filluar të përfshijë veçoritë e pajisjeve të saj iOS në Mac OS, duke e çuar softuerin e vet kompjuterik në një rrugëtim krejtësisht tjetër. Edhe pse mund të thuhet se këto ndryshime kanë brengosur disa -posaçërisht ata që kanë investuar për një kohë të gjatë në përparimin e Mac OS X—për të mirë apo të keq, kjo është e paevitueshme.

Mac OS X i dhjetëvjeçarit të ri do të jetë i ndryshëm nga Snow Leopard ashtu siç është i ndryshëm Snow Leopard i sotshëm nga Mac OS X 10.0, por në thelbin e ardhmja e Mac OS X do të drejtohet pikërisht nga këto parime. Nëse i rikthehem grafikut tim joshkencor, do të mund të thoja se gjatë dekadës kur ka ekzistuar, kjo linjë satisfaksioni do të vazhdojë të rritet dhe të gjithë do të jemi duke kujtuar Mac OS të 2001-tës dhe do të çuditemi se çfarë kemi humbur me të vërtetë.

Dan Moren është kryeredaktor në MacWorld dhe përdorues i Mac OS X që nga viti 2000.

Lajmet e fundit>