Uncategorized

10 këshilla si të bëni përshtypje në një intervistë pune

Jul 23 2012
0 Shpërndarje
10 këshilla si të bëni përshtypje në një intervistë pune

Në ditët e sotme, kemi në dorë një mori mjetesh që na japin përparësi kur kërkojmë për një punë dhe kur paraqitemi më pas në një intervistë. Por si t’i përdorim ato në dobinë tonë? Më poshtë jepen 10 këshilla:

1.      Kërkim, kërkim, kërkim

Një nga pyetjet e para në një intervistë është “çfarë bën kompania jonë?”. Mund t’ju duket e çuditshme, por ka shumë njerëz që nuk dinë t’i përgjigjjen. Nëse nuk jeni gati për të folur për kompaninë, me shumë gjasa ata nuk do t’ju pranojnë. Prandaj harxhoni disa minuta duke kërkuar mbi aktivitetin dhe të dhëna të tjera që mund t’i gjeni shumë lehtë në faqen zyrtare të kompanisë në internet.

2.      Krijoni lidhje para intervistës

Nëse faqja ndodhet në Facebook, pëlqeni ndonjë prej postimeve të saj ose shkruani ndonjë koment. Ideja është se asnjëherë nuk e dini se kush mund të jetë duke vëzhguar faqen. Kështu keni mundësi të mbaheni mend. Nëse kompania sponsorizon ndonjë ngjarje, paraqituni atje dhe takoni disa prej përfaqësuesve.

3.      Ndërtoni prezencën tuaj sociale

A e përdorni blogun, rrjetet sociale si Twitter apo Facebook? Atëherë mund të shfaqni përmes tyre preferencat tuaja mbi fushat në të cilat jeni të interesuar.

4.      Përgatituni

Mundohuni të zbuloni strukturën e intervistës, cilët do të jenë personat që do t’ju intervistojnë, kërkoni rreth tyre dhe bëjuni përshtypje me njohuritë tuaja. Mos harroni të bëni pyetje të menduara mirë, sepse ato që janë të pabaza lenë pas shije të keqe. Shkruajini pyetjet para se të shkoni në intervistë. Poashtu, shqyrtoni me kujdes kodin e veshjes së kompanisë dhe përshtatjuni asaj.

5.      Paraqituni më herët

Mbërrini të paktën 15 minuta para kohës së takimit. Sidomos nëse jeni me makinë duhet të arrini më herët për të zënë një vend parkimi. Nëqoftëse vonoheni, patjetër telefononi dhe njoftojini për arsyen.

6.      Jeni fleksibël

Mos flisni për paratë në intervistën e parë. Vini në dukje se jeni të gatshëm të trajnoheni dhe se vleni për kompaninë. Nëse ju pëlqen kompania, atëhere paratë do të vijnë vetë. Edhe nëse ju pyesin për pagën që prisni të merrni, mos jepni një shifër fikse, por një interval.

7.      Mos e diferenconi veten

Kompanive ju pëlqejnë njerëzit me interesa të ndryshme. Nëse ju pëlqen të punoni në sektorë të ndryshëm, përmendeni. Mos u ndjeni në siklet të shprehni preferencat dhe hobin tuaj. Të gjitha këto i sjellin ngjyra dhe karaktere të ndryshme një organizate.

8.      Mendoni për karrierën, jo thjeshtë për një punë

Bëjeni të qartë se jeni të interesuar për një karrierë të suksesshme, jo thjeshtë për një punë. Pyesni se çfarë duhet të prisni në muajt e parë të punës dhe përmendni ato që dini të bëni por pa fjalë si ‘jam i/e mirë për shitjet’ ose ‘dua ta marr këtë iniciativë’. Përkundrazi, nëse jeni vërtetë të aftë për shitje, thoni ‘në një vit kam mbyllur kaq llogari dhe kam hapur kaq të tilla që kanë sjellë kaq përfitime në para’.

9.      Detajet mbajini në mendje

Me detaje duam të themi: fikni celularin, mos përtypni çimçakëz, rrini drejt, mos thoni fjalë si ‘ah po’ apo ‘e keni parasysh’, shikojeni intervistuesin në sy dhe mos përmendni vende të tjera ku mendoni të shkoni për intervistë.

10.  Mbani kontakt

Sigurohuni që pas intervistës të merrni kartvizitat e të gjithëve dhe shkruani edhe një e-mail falenderimi në fund të ditës. Edhe nëse nuk e fitoni punën, nuk ka problem. Është një përvojë më tepër që ju mëson si të pergatiteni dhe të përballeni me emocionet e intervistave. Mos harroni se ndoshta në muajt në vijim mund të hapet një pozicion tjetër dhe ata mund t’ju telefonojnë sërish. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>